Policia e Shkodres ka nisur hetimet per ngjarjen e rende te regjistruar mbrëmjen e kaluar, ku nje sasi tritoli u vendos pranë një biznesi reklamash në qytet. Pronari i aktivitetit, Lulzim Mehmeti, ka dhënë deklarimin e tij para hetuesve, duke pohuar se nuk ka asnjë konflikt që mund të lidhet me këtë sulm.
Sipas dëshmisë së tij, Mehmeti ka qene në shtëpi në momentin e shpërthimit dhe ka theksuar se nuk ka marrë kurrë kërcënime dhe nuk ka pasur probleme me askënd. Ai u shpreh se prej vitesh ushtron aktivitetin e tij në fushën e reklamave dhe nuk arrin të kuptojë arsyen pse dikush do të vendoste lëndë plasëse pranë biznesit.
Policia u njoftua rreth ores njëzet e dy e njëzet minuta dhe mbërriti menjëherë në vendngjarje. Janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë regjistruar momentet e atentatit. Ne video shfaqen dy persona të rinj që vijnë me motor, vendosin sasinë eksplozive pranë qepenave të lokalit dhe largohen me shpejtësi. Ata mbajnë kapuçë dhe fytyrat e mbuluara, gjë që e vështirëson identifikimin.
Të dyshuarit janë parë të drejtohen më pas drejt zonës së Rrethinës, një zonë rurale ku mungojnë kamerat, duke ngritur dyshime se mund të bëhet fjale për persona të paguar për vendosjen e tritolit.
Hetimet po vazhdojnë nga Policia dhe Prokuroria, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autoreve.