Keshilli i Lartë i Prokurorisë do të mbledhet të martën, më 9 dhjetor në orën njëmbëdhjetë, për të votuar emërimin e Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Keta aktualisht mban funksionin e zëvendësdrejtorit të BKH dhe është përzgjedhur si kandidati finalist në një proces që ka zgjatur disa muaj.
Në garë për drejtimin e strukturës që mbështet SPAK në hetime kanë konkurruar shtatë kandidatë, mes tyre oficerë të lartë policie dhe prokurorë. Në mandatin e parë, i cili zgjati pesë vjet, BKH u drejtua nga Aida Hajnaj.
Mbledhja ku do të shqyrtohet propozimi i SPAK do të zhvillohet në sallën e KLP, në prani të anëtarëve të këshillit, përfaqësuesve të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve ndërkombëtare që asistojnë reformën në drejtësi. Media është e ftuar të marrë pjesë.
Rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të fundit dhe shqyrtimin e projektvendimit për emërimin e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si edhe projektvendime të tjera që lidhen me lëvizjen e prokurorëve.
Nëse merr votat e nevojshme, Joni Keta pritet të marrë drejtimin e institucionit që njihet ndryshe si “FBI shqiptare”.