Një 30-vjeçar është arrestuar në Lezhë pasi u kap duke lëvizur i armatosur me armë zjarri dhe me automjet pa targa, gjatë një operacioni policor të zhvilluar mbrëmjen e së dielës.
Sipas Policisë, arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Gjerdani”, i finalizuar nga shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale, pas administrimit të menjëhershëm të një informacioni të siguruar në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte i armatosur.
Gjatë operacionit, në fshatin Shënkoll, u ndalua një automjet tip “Fiat”, pa targa, që drejtohej nga shtetasi K. B., 30 vjeç, banues në Lezhë. Nga kontrolli i ushtruar, shërbimet e Policisë gjetën në çantën e tij një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e mbante pa leje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit me municion, dy aparate celulare, automjeti dhe një shumë parash. Në përfundim të veprimeve procedurale, 30-vjeçari u arrestua, ndërsa për dy pasagjerët që ndodheshin në automjet u nis procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit”.
Të proceduarit janë shtetasit A. A., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. N., 25 vjeç, banues në fshatin Tale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme ligjore.