Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka finalizuar konfiskimin e pasurive me vlerë mbi 2 milionë euro, në kuadër të një çështjeje penale për pastrim parash.
Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata ka vendosur konfiskimin e pasurive në pronësi të shtetasit me iniciale R.Z., i shpallur fajtor për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Vendimi është marrë pas përfundimit të hetimeve mbi procedimin penal nr. 1922 të vitit 2019.
Sipas vendimit gjyqësor, R.Z. është dënuar fillimisht me 7 vite burgim. Në zbatim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimi është ulur me një të tretën, duke u konvertuar përfundimisht në 4 vjet e 8 muaj burgim.
Në kuadër të këtij vendimi, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e një sërë pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat përfshijnë njësi tregtare, apartamente, truall, tokë arë, ambiente ndihmëse dhe një automjet luksoz. Konkretisht, janë konfiskuar dy njësi në qytetin e Vlorës me sipërfaqe 70 dhe 50 metra katrorë, një apartament me sipërfaqe 159 metra katrorë në lagjen “Kushtrimi”, si dhe disa pasuri të tjera të paluajtshme në bashkëpronësi, përfshirë tokë arë prej 5 000 metrash katrorë dhe truall ndërtimi.
Gjithashtu, vendimi përfshin konfiskimin e një apartamenti tjetër, një bodrumi dhe një shtese ndërtimi katërkatëshe, të ndërtuar mbi bazën e një lejeje ndërtimi të vitit 2011, si dhe konfiskimin e një automjeti të markës BMW, në pronësi të R.Z.
Autoritetet bëjnë të ditur se konfiskimi i këtyre pasurive është pjesë e përpjekjeve për goditjen e veprimtarisë kriminale dhe sekuestrimin e pasurive që burojnë nga aktivitetet e paligjshme. Vendimi është i formës së prerë dhe pasuritë i kalojnë shtetit.