Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në hyrje të qytetit të Vlorës, në zonën e njohur si rrethrrotullimi i Nartës, ku punonjës të INUV dhe efektivë të Policisë janë dhunuar gjatë një aksioni për lirimin e hapësirave publike.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 12:20, punonjësit e Inspektoratit Ndërtimor dhe Urbanistik Vendor ndodheshin në terren për të njoftuar subjektet private për lirimin e hapësirave publike, kur janë përfshirë në një konflikt me tre shtetas: Irfan Dalipaj, 58 vjeç, Drisild Dalipaj, 27 vjeç dhe Fabjo Dalipaj, 23 vjeç. Fillimisht, gjatë përplasjes, janë dhunuar punonjësit e INUV.
Në afërsi të vendngjarjes ndodheshin dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët po kryenin shërbim të planifikuar dhe kanë ndërhyrë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Gjatë ndërhyrjes, edhe dy efektivët e Policisë janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e përfshirë.
Për të vënë situatën nën kontroll dhe për të ndalur sulmin, njëri prej punonjësve të Policisë ka përdorur armën e shërbimit, duke qëlluar në ajër. Autoritetet bëjnë të ditur se nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
Si pasojë e dhunës së ushtruar, dy punonjësit e Policisë janë transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore. Ata kanë pësuar dëmtime në kokë dhe në trup nga goditjet me sende të forta, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Drejtori i Policisë së Vlorës ka shkuar në spital për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të efektivëve të lënduar.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore, përfaqësues të Prokurorisë dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.