Kukës, vetëdorëzohen vëllezërit e dyshuar për plagosjen me armë të dy personave

Janë vetëdorëzuar dy vëllezërit që ishin shpallur në kërkim nga Policia, lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në qytetin e Kukësit, ku mbetën të plagosur dy persona si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit.

Sipas të dhënave zyrtare, nga ngjarja kanë mbetur të lënduar shtetasit Amarildo Cena, 36 vjeç, dhe Sadik Kapica, 65 vjeç. Njëri prej tyre është plagosur me armë zjarri në kofshë, ndërsa tjetri është dëmtuar në kokë pasi është goditur me qytën e armës. Të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Kukësit bën të ditur se, pas vijimit të veprimeve hetimore dhe kontrolleve intensive për kapjen e autorëve të dyshuar, dy vëllezërit e shpallur në kërkim janë vetëdorëzuar, pasi nuk kanë pasur mundësi të largohen.

Në përfundim të veprimeve procedurale dhe pas komunikimit me prokurorin e gatshëm, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasin N. I., 38 vjeç, ndërsa për vëllanë e tij, shtetasin F. I., 39 vjeç, banues në Kodër Lumë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë.

Nga hetimet paraprake rezulton se dy vëllezërit janë përfshirë në një konflikt fizik me shtetasin Sadik Kapica, 65 vjeç, për motive të dobëta, në zonën e quajtur “Dëshmorët”. Gjatë konfliktit, shtetasi N. I. dyshohet se e ka goditur Kapicën me qytën e pistoletës, ndërsa ka plagosur nga pakujdesia edhe shtetasin Amarildo Cena, 36 vjeç, i cili nuk ka qenë i përfshirë në konflikt.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit e dyshuar e përdorur në ngjarje. Materialet procedurale shtesë i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme ligjore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033