Protesta e opozitës para Kryeministrisë, Policia e Tiranës publikon planin e masave dhe bllokimet rrugore

Policia e Tiranës ka bërë publik planin e masave të sigurisë për protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike, e cila do të zhvillohet sot para Kryeministrisë.

Sipas njoftimit zyrtar, tubimi është njoftuar të nisë në orën 18:00 dhe, në zbatim të ligjit “Për tubimet”, strukturat e Policisë kanë marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ushtrimin e të drejtës së tubimit, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.

Në kuadër të këtyre masave, do të ketë kufizime dhe bllokime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore të kryeqytetit. Nga ora 14:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Ismail Qemali”, rrugën “Papa Gjon Pali II”, bulevardin “Zhan D’Ark”, si dhe në bulevardin “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Po ashtu, nga ora 14:00 e deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime të tjera të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore. Në raste të tilla, qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative, për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin qarkullimin në zonat që do të bllokohen dhe të përdorin itinerare alternative, me qëllim mbarëvajtjen e tubimit dhe minimizimin e shqetësimeve për qytetarët.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033