Një 44-vjeçar është vënë në pranga në Mallakastër, pasi akuzohet se ka dëmtuar disa automjete dhe më pas ka kërcënuar punonjësit e Policisë gjatë shoqërimit të tij.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan shtetasin R. T., 44 vjeç, banues në Mallakastër. Ai dyshohet se ka dëmtuar tre automjete duke përdorur sende të forta.
Gjatë ndërhyrjes dhe shoqërimit nga Policia, 44-vjeçari ka kanosur punonjësit e rendit me thikë. Autoritetet bëjnë me dije se shtetasi R. T. dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa rasti po trajtohet sipas parashikimeve ligjore.