Armando Broja ka realizuar golin e tij të parë me fanellën e Bërnlit në Premier Ligë, duke lënë gjurmë në barazimin 1-1 që i dha fund një serie prej shtatë humbjesh radhazi të skuadrës së tij.
Sulmuesi shqiptar u aktivizua si zëvendësues dhe arriti të barazojë rezultatin, duke finalizuar një krosim të saktë dhe duke i dhënë ekipit një pikë të rëndësishme në kampionat. Paraqitja e tij u shoqërua edhe me vlerësime pozitive nga mediat angleze.
Në notat pas ndeshjes, Broja u rendit ndër lojtarët më të spikatur, duke u vlerësuar me notën 7 për kontributin e dhënë. Në përshkrimin e performancës së tij theksohet se “gjeti rrjetën për herë të parë me ngjyrat e Bërnlit, duke çuar në objektiv një krosim të shkëlqyer për të barazuar rezultatin, ndërsa me vrull ishte pranë edhe golit të fitores”.
Goli i shënuar konsiderohet një moment i rëndësishëm për Brojën, i cili synon të konsolidojë rolin e tij në skuadër dhe të japë një kontribut të vazhdueshëm në javët në vijim të kampionatit.


