Një banesë e pabanuar është përfshirë nga flakët dhe është djegur plotësisht në fshatin Kosovë e Vogël, në njësinë administrative Fiershegan, në bashkinë Lushnje.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë forcat zjarrfikëse të Lushnjes, si dhe efektivë të Policisë së Shtetit. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe kanë arritur ta vënë zjarrin nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tij në banesa të tjera përreth.
Sipas të dhënave paraprake, banesa ishte në pronësi të shtetasit Fiqiri Nexha dhe prej vitesh nuk banohej, pasi pronari nuk jetonte në këtë zonë. Ai kishte lënë porosi një fqinji për t’u kujdesur herë pas here për banesën, të cilën e vizitonte rrallë.
Ka qenë pikërisht fqinji ai që ka konstatuar flakët dhe ka njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Ndërkohë, Policia ka nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, pasi dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm. Hetimet vijojnë.


