Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, ka zhvilluar këtë të diel vizitën e tij të parë zyrtare në qytetin e Shkodrës, ku ka drejtuar meshën para Krishtlindjes në kishën ortodokse të qytetit.
Gjatë predikimit, Kryepeshkopi Joan përcolli mesazhe të forta shpirtërore, duke theksuar rëndësinë e pranisë së Zotit në jetën personale, familjare dhe shoqërore. Ai u shpreh se çdo përpjekje për të ndërtuar jetën dhe shoqërinë pa Zotin është e destinuar të dështojë, ndërsa porositë hyjnore, sipas tij, nuk e kufizojnë lirinë e njeriut, por e garantojnë atë.
Fortlumturia e Tij u ndal edhe te kuptimi i vërtetë i Kreshmës, duke theksuar se ajo nuk përbëhet vetëm nga heqja dorë nga ushqimi, por mbi të gjitha nga pastrimi shpirtëror, shmangia e thashethemeve, shpifjeve dhe mëkateve të përditshme. Ai foli gjithashtu për rënien e natyrës njerëzore dhe misionin e Krishtit për ringritjen shpirtërore të njeriut.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kryepeshkopi Joan vuri theksin te familja si themeli i shoqërisë dhe përgjegjësia që çdo besimtar ka jo vetëm për veten, por edhe për komunitetin. Vizita u konsiderua një moment i veçantë për komunitetin ortodoks të Shkodrës, në prag të festës së Krishtlindjes.
Pas meshës, Kryepeshkopi Joan zhvilloi vizita edhe në Bashkinë e Shkodrës dhe në Myftininë e qytetit, ku përcolli mesazhe paqeje, bashkëjetese dhe harmonie ndërfetare.


