Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e së dielës në zonën e Plazhit në Durrës, ku një konflikt i çastit ka përfunduar me plagosjen me thikë të një 45-vjeçari.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:35, në lagjen nr. 13, në sektorin e njohur si “Hekurudha”, ku gjatë një përplasjeje fizike, 45-vjeçari dyshohet se është goditur me mjet prerës nga persona ende të paidentifikuar.
I plagosuri është identifikuar si Florant Sinanaj, 45 vjeç, banues në Tiranë. Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Burime mjekësore bëjnë me dije se Sinanaj ka pësuar dy plagë shpuese, një në gjoks dhe një në bark, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.
Policia bën të ditur se rrethanat e konfliktit mbeten ende të paqarta. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve të dyshuar.


