Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e së dielës në autostradën Lushnje–Fier, në afërsi të zonës së njohur si “Pushimi i Shoferit”, ku disa persona kanë mbetur të lënduar.
Sipas të dhënave nga Policia e Qarkullimit, aksidenti ka ndodhur si pasojë e një parakalimi të gabuar, gjatë të cilit dy automjete janë fërkuar me njëri-tjetrin ndërsa lëviznin në drejtim të Fierit. Si pasojë e përplasjes, një automjet tip fuoristradë “Volvo” ka përfunduar i bllokuar mes barrierave ndarëse të autostradës.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet e Policisë dhe ekipet mjekësore. Dy ambulanca janë angazhuar për transportimin dhe kontrollin shëndetësor të të lënduarve, të cilët, sipas informacioneve paraprake, nuk kanë pësuar dëmtime serioze.
Policia ka kryer veprimet procedurale për dokumentimin e rastit dhe ka ndërmarrë masa për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë manovrave të parakalimit.


