U sëmur gjatë udhëtimit me traget nga Korfuzi, 67-vjeçari transportohet me helikopter drejt Tiranës

Një 67-vjeçar është transportuar me urgjencë drejt Tiranës pasi shfaqi probleme serioze shëndetësore gjatë udhëtimit me tragetin e linjës Korfuz–Sarandë.

Sipas të dhënave mjekësore, shtetasi Ndue Gjoka, banues në Shkodër dhe emigrant prej vitesh në Greqi, është ndjerë keq gjatë lundrimit, teksa po kthehej në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit pranë familjes së tij.

Menjëherë pas mbërritjes së tragetit në portin e Sarandës, 67-vjeçari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Sarandës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Mjekët kanë konstatuar se ai vuante nga një problem i rëndë kardiak, konkretisht disekacion i aortës, një gjendje që kërkon trajtim të specializuar dhe ndërhyrje të menjëhershme.

Pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, pacienti është transportuar me helikopter drejt një spitali të specializuar në Tiranë për vijimin e trajtimit mjekësor.

Ndaj Postimin: