Kukës, dy të plagosur nga të shtënat me armë zjarri, në kërkim dy vëllezër

Dy persona kanë mbetur të plagosur pasditen e së dielës në qytetin e Kukësit, si pasojë e një ngjarjeje me armë zjarri, e ndodhur rreth orës 14:35, në rrethana ende të paqarta.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, të plagosur kanë mbetur shtetasit Amarildo Cena, 36 vjeç, dhe Sadik Kapica, 65 vjeç. Njëri prej tyre është qëlluar me armë zjarri dhe ka pësuar dëmtime në kofshë, ndërsa tjetri është goditur në kokë me qytën e armës. Autoritetet bëjnë të ditur se të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Njëri nga të plagosurit është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim më të specializuar mjekësor, ndërsa tjetri po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Kukësit.

Nga veprimet paraprake hetimore, Policia ka identifikuar si autorë të dyshuar vëllezërit Fatri Iseberi, 39 vjeç, dhe Ndriçim Iseberi, 38 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim. Shërbimet policore kanë nisur kontrolle intensive në terren për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për mbledhjen dhe dokumentimin e provave që do t’i shërbejnë hetimit ligjor. Hetimet vijojnë.

Ndaj Postimin: