Një fluks i lartë lëvizjesh është regjistruar këtë të diel në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, kryesisht në drejtimin hyrës nga Greqia drejt Shqipërisë, në kuadër të kthimeve për festat e fundvitit.
Gjatë ditës janë përpunuar gjithsej 8 277 shtetas, prej të cilëve 5 724 në hyrje dhe 2 553 në dalje, si dhe 2 669 mjete, përkatësisht 1 826 në hyrje dhe 843 në dalje. Të dhënat tregojnë një mbingarkesë të qartë në sensin hyrës, ndërsa qarkullimi në dalje paraqitet më i qetë.
Si pasojë e fluksit të shtuar dhe faktit që pala greke po operon vetëm me dy sportele, janë krijuar radhë dhe pritje për udhëtarët dhe automjetet që vijnë nga Greqia drejt vendit tonë.
Shërbimet kufitare shqiptare bëjnë të ditur se po vijojnë punën në terren për menaxhimin e situatës dhe për përshpejtimin e procedurave, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së udhëtarëve.


