Ndërprerje masive e energjisë në San Francisko, rreth 130 mijë banorë pa drita

Një ndërprerje e gjerë e energjisë elektrike ka prekur qytetin e San Franciskos, duke lënë pa furnizim rreth 130 mijë banorë gjatë orëve të fundit.

Sipas njoftimeve zyrtare nga kompania që administron rrjetin energjetik në qytet, ndërprerja ka shkaktuar probleme të shumta në infrastrukturën urbane, përfshirë mosfunksionimin e disa semaforëve dhe vështirësi në transportin publik.

Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesa dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, për arsye sigurie. Kryebashkiaku i San Franciskos, Daniel Lurie, ka apeluar për kujdes maksimal, duke theksuar se dalja në rrugë duhet të bëhet vetëm në raste të domosdoshme.

“Nëse nuk keni nevojë të udhëtoni sonte, ju lutemi të qëndroni në shtëpi”, ka deklaruar ai, duke shtuar se policia do të rrisë praninë në kryqëzimet kryesore për të garantuar sigurinë e qytetarëve që ndodhen ende jashtë.

Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për identifikimin e shkakut të ndërprerjes dhe rikthimin e plotë të energjisë elektrike, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për menaxhimin e situatës.

Ndaj Postimin: