Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria mban një rekord negativ në përdorimin e paraburgimit, duke u renditur në pozicionin më të keq në Europë, sipas një raporti të ekspertëve të Këshillit të Europës për ushtrimin e pushtetit të drejtësisë.
Gjatë episodit të së dielës të podcast-it “Flasim”, kreu i qeverisë lexoi dhe komentoi gjetje të raportit, duke theksuar se numri i lartë i personave në paraburgim dhe kohëzgjatja e pajustifikuar e kësaj mase përbëjnë një problem serioz për sistemin e drejtësisë në vend. Ai u shpreh se kjo situatë ka krijuar një “rekord negativ absolut”, jo vetëm krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, por edhe me vendet e rajonit.
Sipas raportit të cituar, gjykatat shqiptare zgjasin shpesh masën e paraburgimit pa arsyetim të individualizuar dhe pa provuar domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e saj. Po ashtu, evidentohet përdorimi i nocioneve të paqarta ligjore dhe formulave standarde në vendimet gjyqësore, duke reflektuar mungesë të arsyetimit të thelluar.
Një tjetër problem i theksuar është moszbatimi i qëndrueshëm i masave alternative ndaj paraburgimit. Sipas Ramës, gjykatat e trajtojnë paraburgimin si opsionin e parë dhe jo si mjetin e fundit, duke sjellë mbipopullim të burgjeve me persona të padënuar. “Po i mbushim burgjet me më shumë persona të padënuar se sa të dënuar”, u shpreh kryeministri.
Raporti nënvizon gjithashtu mangësi në garantimin e së drejtës së mbrojtjes, përfshirë aksesin e hershëm te avokati, vonesat në dhënien e materialeve të çështjes dhe mungesën e regjistrimit audio dhe video të marrjeve në pyetje. Sipas Ramës, këto probleme dobësojnë aftësinë e mbrojtjes për të kundërshtuar ligjshmërinë e paraburgimit.
Në përfundim, kryeministri theksoi se, megjithëse korniza ligjore shqiptare është në përputhje formale me standardet europiane, në praktikë vijojnë prirje strukturore dhe kulturore që favorizojnë kufizimin e lirisë. Ai nënvizoi nevojën për ndryshime strategjike, përfshirë forcimin e kontrollit nga gjykatat e apelit dhe funksionimin efektiv të masave alternative ndaj paraburgimit.


