BKH kontrollon zyrën dhe banesën e Drejtoreshës së Krimit Kibernetik, i sekuestrohet telefoni

Byroja Kombëtare e Hetimit ka ndërmarrë veprime hetimore ndaj Drejtoreshës së Krimit Kibernetik dhe Kompjuterik në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, duke i sekuestruar telefonin celular si dhe duke ushtruar kontrolle në ambientet e zyrës dhe në banesën e saj.

Ervina Gjana mban një funksion kyç në strukturat e rendit, si drejtuese e sektorit që merret me hetimin dhe parandalimin e krimit kibernetik, përfshirë mashtrimet online, veprimtarinë e paligjshme të call center-ave, ndërhyrjet në sistemet informatike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit digjital.

Veprimet hetimore ndaj saj dhe zyrtarëve të tjerë lidhen me një hetim më të gjerë të nisur nga Prokuroria e Posaçme, pas sekuestrimit të pajisjeve elektronike të biznesmenit Ergys Agasi. Nga analizimi i këtyre materialeve, dyshohet se janë konstatuar indicie për ndikim të grupeve kriminale në emërime dhe promovime brenda Policisë së Shtetit.

Hetimi përfshin dyshime për lejimin e aktivitetit të paligjshëm të call center-ave, ndikim të kundërligjshëm në strukturat e Policisë së Shtetit dhe vepra të tjera penale që lidhen me ushtrimin e funksioneve publike.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar rolin e secilit person të përfshirë dhe për të dokumentuar plotësisht dyshimet e ngritura.

Ndaj Postimin: