Përleshje mes gjimnazistëve në Vaun e Dejës, nxirren thikat pas mësimit; kalimtarja shmang përshkallëzimin

Një incident i rrezikshëm është regjistruar në zonën e Vaut të Dejës, ku disa nxënës të shkollave të mesme janë përfshirë në një përplasje fizike pas përfundimit të mësimit, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e adoleshentëve.

Sipas të dhënave, konfliktet mes nxënësve ishin paraprakisht të planifikuara, pasi ata kishin lënë takim për t’u “sqaruar” pas orarit shkollor. Ngjarja ka ndodhur pranë vendqëndrimit të furgonëve me të cilët nxënësit udhëtojnë çdo ditë drejt dhe nga shkolla.

Fillimisht, përplasja ka nisur me grushte mes dy grupeve adoleshentësh, por situata është përshkallëzuar më tej kur njëri prej tyre ka nxjerrë një thikë. I riu është parë duke vendosur kapuçin e xhaketës dhe duke tentuar të afrohet në mënyrë kërcënuese drejt nxënësve të tjerë.

Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk raportohet për persona të plagosur, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit është parandaluar falë ndërhyrjes së menjëhershme të një gruaje kalimtare, e cila ka arritur të shpërndajë të rinjtë dhe të ndalë dhunën.

Rasti i fundit i shtohet një serie incidentesh mes nxënësve të shkollave të mesme në qarkun e Shkodrës, ku konfliktet po shfaqen gjithnjë e më shpesh dhe me mjete të rrezikshme. Autoritetet pritet të marrin masa për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

Ndaj Postimin: