Clinton reagon pas publikimit të fotove nga dosja Epstein: Po përdoren për të fshehur prova të tjera

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, ka reaguar publikisht pas publikimit të mijëra faqeve me dokumente, foto dhe prova që lidhen me çështjen e Jeffrey Epstein, i dënuar për abuzim seksual dhe prostitucion. Mes materialeve të bëra publike përfshihen edhe fotografi ku Clinton shfaqet në shoqërinë e Ghislaine Maxwell dhe personazheve të tjerë të njohur.

Në një reagim të ashpër, Clinton ka hedhur poshtë çdo pretendim se publikimi i materialeve synon mbrojtjen e tij, duke deklaruar se bëhet fjalë për një përpjekje të administratës Trump për të devijuar vëmendjen dhe për të fshehur prova të tjera më të rënda.

Përmes zëdhënësit të tij, ish-presidenti është shprehur se dokumentet nuk janë mbajtur për muaj të tërë për t’u publikuar më pas me qëllim mbrojtjen e Bill Clinton, por për të shmangur zbulimin e fakteve të tjera që mund të dalin në dritë në të ardhmen. “Kjo çështje nuk ka të bëjë me mbrojtjen e Clinton, por me atë që po tentohet të fshihet përgjithmonë”, thuhet në deklaratë.

Sipas përfaqësuesve të tij, përpjekjet për ta përfshirë Clintonin në qendër të vëmendjes synojnë të largojnë përgjegjësinë nga personat që, sipas tyre, kanë vazhduar marrëdhëniet me Epstein edhe pasi krimet e tij u bënë publike. Në deklaratë theksohet se ekziston një dallim i qartë mes atyre që i ndërprenë kontaktet me Epstein sapo u zbuluan akuzat dhe atyre që vijuan të ruanin lidhje me të.

Reagimi i Clinton vjen në një moment kur publikimi i dosjeve të Epstein ka rihapur debatet dhe polemikat në SHBA, duke nxitur kërkesa për transparencë të plotë dhe hetime të mëtejshme lidhur me personat e përfshirë në këtë çështje të rëndë.

Ndaj Postimin: