Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për datën 22 dhjetor, duke e cilësuar atë si nisjen e një revolte të gjerë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Në një komunikim online me mbështetësit e tij, Berisha komentoi edhe hetimet që po zhvillohen ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën deklaroi se po mbrohet politikisht nga kryeministri. Ai pretendoi se, sipas të dhënave të dala nga dosja hetimore, Balluku disponon pasuri të mëdha, përfshirë apartamente, jahte dhe shuma të konsiderueshme parash, të cilat, sipas tij, ende nuk janë identifikuar plotësisht.
Berisha u shpreh se procesi hetimor është në vijim dhe se, pavarësisht përpjekjeve për të penguar zbardhjen e plotë të çështjes, dokumentacioni dhe pasuritë do të sekuestrohen dhe do t’u kthehen qytetarëve.
Në fjalën e tij, kreu i opozitës theksoi se protesta e 22 dhjetorit nuk është një akt i izoluar, por fillimi i një serie veprimesh të vazhdueshme. “Protesta e së hënës shënon nisjen e revoltës popullore, e cila do të ndalet vetëm me largimin e Edi Ramës nga pushteti”, deklaroi Berisha, duke i ftuar qytetarët të angazhohen masivisht në kundërshtimin e qeverisë aktuale.


