SHBA kryen sulm masiv ndaj ISIS-it në Siri pas vrasjes së ushtarëve amerikanë

Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm të gjerë ushtarak kundër objektivave të grupit ekstremist ISIS në Siri, në përgjigje të një sulmi të përgjakshëm ndaj forcave amerikane, ku humbën jetën dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil.

Sipas autoriteteve amerikane, operacioni ushtarak përfshiu avionë luftarakë, helikopterë sulmues dhe artileri, të cilët goditën më shumë se 70 objektiva në disa zona të Sirisë qendrore. Në sulm u përdorën mbi 100 municione precize, të drejtuara kundër infrastrukturës së njohur të ISIS-it dhe depove të armëve. Në operacion morën pjesë edhe mjete ajrore nga Jordania.

Sulmi u ndërmor pas një pritë të armatosur më 13 dhjetor në qytetin e Palmirës, ku u vranë dy ushtarë amerikanë, Edgar Brian Torres Tovar, 25 vjeç, dhe William Nathaniel Howard, 29 vjeç, si edhe një përkthyes civil. Tre ushtarë të tjerë mbetën të plagosur. Autoritetet amerikane kanë deklaruar se sulmi ndodhi në një zonë që nuk kontrollohet nga qeveria siriane.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se goditjet ishin të forta dhe të sakta, duke theksuar se çdo objektiv i planifikuar u godit me sukses. Ai u shpreh se SHBA do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri kundër çdo grupi që sulmon qytetarë apo forca amerikane.

Nga ana e tij, Sekretari amerikan i Mbrojtjes e cilësoi operacionin si një akt hakmarrjeje dhe paralajmëroi se çdo sulm ndaj amerikanëve, kudo në botë, do të ketë përgjigje të ashpër. Ai theksoi se SHBA do të vazhdojë të ndjekë dhe neutralizojë grupet terroriste që përbëjnë kërcënim për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Burime lokale në Siri raportojnë se nga sulmet janë vrarë të paktën pesë anëtarë të ISIS-it në provincën Deir ez Zor, përfshirë drejtuesin e një njësie të specializuar për përdorimin e dronëve. Grupi ekstremist nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj sulmeve.

Forcat ajrore jordaneze konfirmuan pjesëmarrjen në operacion, duke theksuar se qëllimi ishte parandalimi i grupeve ekstremiste që rrezikojnë sigurinë e Sirisë dhe të vendeve fqinje.

ISIS, megjithëse ka humbur kontrollin territorial në Siri që prej vitit 2019, vijon të jetë aktiv përmes sulmeve sporadike. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, grupi numëron ende mijëra luftëtarë në Siri dhe Irak. Trupat amerikane janë të pranishme në Siri që prej vitit 2015, si pjesë e përpjekjeve për luftimin e terrorizmit dhe mbështetjen e forcave lokale.

Ndaj Postimin: