Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona, babë e bir, të dyshuar si autorë të vendosjes së një sasie lënde plasëse në banesën e nënës së Gentjan Zotos. Ngjarja kishte ndodhur më 29 nëntor 2025, ndërsa arrestimet janë kryer pas disa javësh hetimesh intensive.
Të ndaluarit janë Divid Goxhaj, 59 vjeç, dhe Ferdinant Bombaj, 29 vjeç, të dy banues në Babicë e Madhe, Vlorë. Ata akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Vjedhja”.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se të arrestuarit kanë mbajtur në banesën e tyre një automjet tip “Volkswagen Golf Plus”, i cili rezultonte i vjedhur në qytetin e Elbasanit. Ky automjet dyshohet se është përdorur për t’u afruar pranë banesës së shtetases B. Z., ku është vendosur lënda plasëse në portën e jashtme të banesës, e cila më pas ka shpërthyer.
Pas kryerjes së ngjarjes, automjeti i përdorur dyshohet se është djegur dhe është gjetur më pas në fshatin Babicë e Vogël, në Vlorë, me qëllim fshehjen e gjurmëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme ligjore. Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.


