Tensione në protestën e “Shqipëria Bëhet” para Kryesisë së Kuvendit, përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë

Protesta e thirrur nga Partia “Shqipëria Bëhet”, e zhvilluar paraditen e sotme para Kryesisë së Kuvendit, është shoqëruar me tensione dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Që në momentet e para të tubimit, një pjesë e protestuesve kanë tentuar të afrohen drejt godinës së Kryesisë së Kuvendit, duke shtyrë me forcë efektivët e policisë të vendosur në perimetër sigurie. Situata është përshkallëzuar, duke detyruar policinë të krijojë një kordon më të fortë për të penguar afrimin e protestuesve.

Tensionet janë rritur më tej pas pretendimeve të organizatorëve se policia ka tentuar të heqë pajisjet e zërit dhe podiumin e vendosur për protestën. Në këtë podium, kryetari i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, po mbante fjalimin e tij, ku bëri thirrje politike dhe kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama.

Pavarësisht përplasjeve dhe momenteve të tensionuara, protesta ka vijuar nën masa të shtuara sigurie, ndërsa situata në zonë mbetet e monitoruar nga forcat e rendit për të shmangur incidente të mëtejshme.

Ndaj Postimin: