Tragjedi familjare në Lezhë: 42-vjeçari gjendet i pajetë në dyqan, nëna dyshohet se vetëvritet pas lajmit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Lezhën mbrëmjen e së premtes, ku një 42-vjeçar u gjet i pajetë në ambientet e dyqanit të tij, ndërsa pak më vonë edhe nëna e tij humbi jetën në rrethana tragjike.

Rreth orës 19:30, Aleksandër Marku, 42 vjeç, banues në fshatin Lalm, u gjet pa shenja jete në dyqanin e tij të veglave të punës, në lagjen Gurra të Lezhës. Sipas veprimeve të para hetimore, në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune dhe paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Pas marrjes së lajmit për humbjen e jetës së djalit, nëna e tij, Prenë Marku, 72 vjeçe, dyshohet se ka rënë në gjendje të rënduar psikologjike dhe, sipas të dhënave paraprake, i ka dhënë fund jetës duke u varur. Ajo u gjet e pajetë nga familjarët në banesën e saj në fshatin Lalm i Ri, në Lezhë.

Trupat e pajetë të nënë e bir janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do t’u nënshtrohen ekspertizave për të përcaktuar shkaqet e sakta të humbjes së jetës. Policia vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ndaj Postimin: