Një organizatë kriminale e përfshirë në kontrabandimin e emigrantëve nga Shqipëria drejt Kosovës është çmontuar, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për veprimtari të paligjshme ndërkufitare.
Të akuzuarit, me inicialet A.K., F.L., V.P. dhe B.C., dyshohen se kanë konsumuar veprat penale “kontrabandim me migrantë” dhe “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”. Sipas hetimeve, ata kanë vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, nga janari i vitit 2023 deri në shtator 2025.
Prokuroria bën me dije se grupi kriminal ka futur në mënyrë të kundërligjshme shtetas të huaj në territorin e Kosovës, duke përfituar financiarisht nga kjo veprimtari. Për çdo migrant të kontrabanduar, të pandehurit dyshohet se merrnin shuma që varionin nga 100 deri në 300 euro për person.
Migrantët vinin përmes Shqipërisë nga vende të treta, përfshirë Bangladeshin, Pakistanin, Sirinë dhe shtete të tjera, ndërsa destinacioni i tyre final ishin vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kontrabandimi i migrantëve parashikon dënime me gjobë ose burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Legjislacioni kosovar lejon qëndrimin e migrantëve në territor vetëm deri në 15 ditë pa njoftim të autoriteteve, pas së cilës ata duhet të aplikojnë për statusin e azilit ose të largohen nga vendi. Procesi i shqyrtimit të kërkesave për azil mund të zgjasë disa muaj.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikut të emigrantëve.


