Endrit Shabani nis zyrtarisht mandatin si Avokat i Popullit pas betimit në Kuvend

Endrit Shabani ka marrë zyrtarisht detyrën si Avokat i Popullit këtë të premte, më 19 dhjetor, një ditë pas betimit të tij përpara Kuvendit të Shqipërisë, i cili u zhvillua në një seancë të shoqëruar me tensione dhe kaos parlamentar.

Prezantimi zyrtar i Avokatit të ri të Popullit para komisionerëve, administratës dhe stafit të institucionit u krye nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, në përputhje me procedurat kushtetuese dhe parimin e vijimësisë institucionale.

Shabani zëvendëson në këtë detyrë Erinda Ballancën, e cila e ka drejtuar institucionin e Avokatit të Popullit për tetë vite dhe ka vijuar ushtrimin e funksionit edhe pas përfundimit të mandatit kushtetues.

Betimi i Endrit Shabanit në Kuvend u zhvillua më 18 dhjetor, në një seancë të tensionuar, pasi opozita kishte bllokuar sallën parlamentare dhe nuk kishte lejuar ministrat të uleshin në vendet e tyre. Pas betimit, Shabani u largua nga salla, duke përshëndetur deputetët e opozitës.

Kandidatura e tij ishte propozuar fillimisht me firmat e deputetëve të opozitës, të cilët më pas kërkuan tërheqjen e mbështetjes. Megjithatë, kërkesa për tërheqjen e firmave nuk u pranua dhe Endrit Shabani u zgjodh Avokat i Popullit me votat e mazhorancës parlamentare.

Me marrjen zyrtare të detyrës, Shabani pritet të nisë ushtrimin e kompetencave kushtetuese të institucionit, i cili ka për mision mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve nga veprimet ose mosveprimet e administratës publike.

Ndaj Postimin: