Agron Shehaj përplaset me Gardën dhe Niko Peleshin, tenton të futet në mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Ballukun

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka tentuar të hyjë në ambientet ku po zhvillohet mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku po shqyrtohet çështja e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, por është ndaluar nga Garda e Republikës.

Shehaj nuk është lejuar të marrë pjesë në mbledhje, pasi ajo po zhvillohet me dyer të mbyllura, vetëm në praninë e anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe prokurorëve të çështjes, për shkak të sekretit hetimor dhe ndjeshmërisë së dosjes.

Në korridoret e Kryesisë së Kuvendit, kreu i Partisë Mundësia është përplasur verbalisht me kryetarin e Këshillit të Mandateve, Niko Peleshi, duke e pyetur për arsyet pse nuk lejohej hyrja e deputetëve dhe përfaqësuesve të tjerë në mbledhje. Gjatë tensioneve, Shehaj u dëgjua t’u drejtohej punonjësve të Gardës me fjalët: “Pse më shtyni? Apo se preka Kryetarin? Është i paprekshëm ai?”.

Ndërkohë, në ambientet e jashtme të Kryesisë së Kuvendit, ku po mbahet mbledhja e Këshillit të Mandateve, janë grumbulluar dhjetëra aktivistë të Partisë Mundësia, të cilët po protestojnë kundër zhvillimit të seancës me dyer të mbyllura.

Situata është shoqëruar me tensione, ndërsa mbledhja e Këshillit të Mandateve vijon në kushte sigurie të shtuara.

Ndaj Postimin: