Të shtënat e 13 dhjetorit në Universitetin Brown, ku humbën jetën dy studentë dhe u plagosën të tjerë, i kishin paraprirë një vendimi të rëndësishëm politik: pezullimit të programit të lotarisë së Kartës së Gjelbër. Presidenti Donald Trump e kishte urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të DV-1, një skemë që jepte çdo vit 50 mijë viza emigrimi.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, kishte theksuar se vendimi u ndërmor “për të mbrojtur amerikanët nga rreziqe të mëtejshme”.
I dyshuari për sulmin, Claudio Neves Valente, një portugez 48-vjeçar, ishte gjetur i vdekur në një depo në New Hampshire. Ai kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017 falë lotarisë së vizave dhe ishte pajisur me Kartë Jeshile. Policia besonte se ai kishte kryer vetëvrasje.
Hetimet e mëtejshme zbuluan se Valente dyshohej për një krim tjetër të rëndë: vrasjen e profesorit të MIT-it, Nuno F. Gomes Loureiro, në shtëpinë e tij në Brookline, vetëm dy ditë para të shtënave të Brown. Të dy kishin studiuar në të njëjtin universitet portugez në fund të viteve ’90.
Sipas prokurorit Peter Neronha, provat e gjetura në automjetin pranë vendit ku u gjet trup i pajetë Valentes përputheshin me provat e skenës së krimit në Brown. Identifikimi i tij ishte bërë pas një operacioni gjashtëditor që kishte përfshirë disa shtete, duke përdorur pamje sigurie dhe informacion nga publiku.
Universiteti Brown konfirmoi se Valente kishte qenë student i doktoraturës në vitet 2000–2001, pa asnjë lidhje me institucionin në periudhën e fundit.
Viktimat e sulmit ishin 19-vjeçarja Ella Cook dhe 18-vjeçari Mukhammad Aziz Umurzokov. Nëntë studentë të tjerë ishin plagosur.
Pezullimi i DV-1 riktheu debatin për sigurinë e emigracionit në SHBA. Presidenti Trump kishte tentuar edhe më parë të shfuqizonte skemën, duke e lidhur me sulme të mëparshme, përfshirë atë të New Yorkut në 2017. Ndër vendet e prekura nga vendimi ishte edhe Shqipëria, e cila ka mijëra aplikantë çdo vit.


