Qeveria krijon “Bankën Shqiptare të Zhvillimit” pa licencë nga Banka e Shqipërisë; FMN shpreh shqetësim për rreziqet në sektorin financiar

Qeveria ka themeluar zyrtarisht Bankën Shqiptare të Zhvillimit, një institucion financiar shtetëror që synon të menaxhojë fondet e ardhura nga jashtë dhe të mbështesë me kredi sektorët e nënfinancuar të ekonomisë, si bujqësia dhe ndërmarrjet e vogla. Banka, e cila ka si aksioner të vetëm Ministrinë e Financave, është regjistruar këtë të mërkurë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Sipas statutit të paraqitur në QKB, institucioni i ri financiar ka për objektiv nxitjen e zhvillimit ekonomik, social dhe mjedisor, duke lehtësuar qasjen në financë për individë dhe biznese që nuk marrin shërbime të plota nga sistemi bankar. Banka do të veprojë gjithashtu si administruese e granteve kombëtare dhe atyre të Bashkimit Evropian, ndërsa do të ketë të drejtë të mbledhë fonde përmes obligacioneve, depozitave nga banka tregtare dhe institucione financiare, si edhe produkteve të kursimit për publikun nëpërmjet një entiteti të dedikuar të Postës Shqiptare.

Në krye të Bankës së Zhvillimit do të jetë bankieri italian Silvio Pedrazzi, ish-drejtues i Intesa San Paolo Bank Albania për periudhën 2013–2021. Në Këshillin Mbikëqyrës janë emëruar Arben Shkodra, Eris Hysi, Irida Huta, Artur Asllani dhe Daniel Marc Demeulenaere.

Themelimi i bankës me ligj të veçantë, pa proces licencimi nga Banka e Shqipërisë, ka ngritur alarme në Fondin Monetar Ndërkombëtar. FMN paralajmëroi se krijimi i këtij institucioni shton kompleksitetin e sektorit financiar dhe se aktiviteti i bankës duhet të mbetet i kufizuar dhe i fokusuar vetëm në adresimin e dështimeve të tregut, për të mos penguar investimet private.

Shqipëria ka përvoja të mëparshme problematike me skema shtetërore financimi, si ajo e traktorëve japonezë në vitet ’90, ku shumica e kredive nuk u rikthyen. Këto precedentë kanë shtuar debatet mbi funksionimin dhe sigurinë e Bankës së Zhvillimit.

Sipas dokumentacionit zyrtar, banka do të fokusojë aktivitetin në kredidhënie promovuese për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe startup-et, me synim rritjen e konkurrueshmërisë, produktivitetit dhe integrimit në tregjet ndërkombëtare. Mbetet për t’u parë se si do të zbatohet modeli i ri financiar dhe si do të adresohen shqetësimet e ngritura në lidhje me mbikëqyrjen dhe stabilitetin e sektorit.

Ndaj Postimin: