Kuvendi pritet të mblidhet nesër për të shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të PS-së, e cila kërkon marrjen e masave disiplinore ndaj 29 deputetëve të Partisë Demokratike për situatën e krijuar në seancat e fundit plenare. Për këtë çështje do të mblidhet Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën.
Mbledhja e Sekretariatit të Etikës do të zhvillohet rreth një orë përpara mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku do të diskutohet kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në përbërje të Këshillit të Mandateve janë edhe pesë deputetë demokratë, për të cilët është kërkuar masë disiplinore: Elda Hoti, Gazment Bardhi, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi dhe Saimir Korreshi. Nëse ndaj tyre merret vendim ndëshkues, ata nuk do të mund të marrin pjesë në mbledhjen ku do të shqyrtohet mandati i Ballukut.
Procesi zhvillohet në një moment politik të tensionuar, ndërsa vendimet e Sekretariatit dhe më pas të Këshillit të Mandateve pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në vijimin e procedurave parlamentare.


