Policia greke ka goditur një organizatë kriminale që merrej me trafikimin e sasive të mëdha të marijuanës dhe hashashit çokollatë në zonat e Athinës. Operacioni u finalizua pasditen dhe mbrëmjen e 16 dhjetorit 2025, kur u arrestuan katër persona: dy shqiptarë të moshës 55 dhe 30 vjeç, si dhe dy grekë 22 dhe 30 vjeç.
Mes të arrestuarve është edhe 30-vjeçari Kostandinos Jorgji nga Tepelena, i njohur në skenën muzikore si traperi “For3al”. Ai dyshohet se ishte zëvendëskreu i organizatës kriminale dhe përgjegjës për ruajtjen e lëndëve narkotike së bashku me 55-vjeçarin, i cili konsiderohet udhëheqësi i grupit.
Sipas policisë, organizata funksiononte me strukturë të mirëorganizuar dhe role të përcaktuara qartë. 22-vjeçari grek akuzohet për mbajtjen dhe sigurimin e drogës, si dhe për dorëzimin e saj te transportuesi, ndërsa 30-vjeçari grek ishte përgjegjës për shpërndarjen e sasive të marijuanës dhe hashashit. Gjatë kontrollit, 22-vjeçari bëri rezistencë të fortë ndaj oficerëve të policisë.
Hetimi zbuloi se grupi shiste marijuanë me 2.500 euro për kilogram dhe hashash çokollatë me 5.000 euro për kilogram, duke realizuar fitime të mëdha të paligjshme. Nga kontrollet fizike dhe ato në banesa u sekuestruan 1.907 gramë hashash çokollatë, 15.153 kilogramë marijuanë, një makinë, një motor, jelek antiplumb, numërator parash, peshore elektronike, telefona celularë dhe 51.490 euro cash. Përfitimet e organizatës vlerësohet se tejkalojnë 95.000 euro.
Policia greke theksoi se 55-vjeçari dhe 22-vjeçari kanë precedentë penalë për vepra të ngjashme. Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë kompetente dhe çështja i kaloi një oficeri hetues për vijimin e procedurave ligjore.


