Tirana projektoi për 2026 një buxhet rekord prej 39 miliardë lekësh, i barabartë me disa ministri kombëtare

Për vitin 2026, Bashkia Tiranë kishte hartuar një buxhet prej mbi 39 miliardë lekësh, afro 400 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 13.4% kundrejt vitit 2025 dhe një rritje akoma më të fortë në krahasim me vitin 2024. Ky buxhet e poziciononte kryeqytetin ndër institucionet me financimin më të madh në vend, menjëherë pas ministrive kyçe.

Burimi kryesor i buxhetit ishin të ardhurat e veta, mbi 21 miliardë lekë, ku ndërtimet e reja — si banesore ashtu edhe tregtare — siguronin një të tretën e arkëtimeve. Një element tjetër i rëndësishëm ishin 11 miliardë lekë fonde të pashpenzuara nga vitet e mëparshme. Ky tregues i mosrealizimit të investimeve ishte përmendur edhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili kishte kërkuar që miratimi i buxhetit të 2026 të mos bëhej pa praninë e tij.

Financimet e huaja arrinin në 121 milionë lekë dhe donacionet në 8.2 milionë, ndërsa pjesa tjetër mbulohej nga transfertat qeveritare.

Bashkia kishte planifikuar 12.5 miliardë lekë investime kapitale gjatë vitit 2026, 10.3 miliardë lekë shpenzime operative dhe mbi 1.3 miliardë lekë për çështjen e inceneratorit të pandërtuar. Ndërkaq, mbi 10.5 miliardë lekë ishin parashikuar për paga e sigurime shoqërore për punonjësit.

Me 9,167 punonjës të planifikuar për vitin e ardhshëm, Bashkia Tiranë mbetej një prej punëdhënësve më të mëdhenj të administratës publike, duke u renditur pas ministrive të Arsimit, të Brendshme dhe të Mbrojtjes, dhe para disa ministrive të tjera të rëndësishme.

Ndaj Postimin: