Pas çtensionimit në veri, BE-ja hoqi masat ndaj Kosovës; miliona euro ndihmë pritet të lëvrohen në fillim të 2026

Kalimi paqësor i pushtetit në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kishte ndryshuar qëndrimin e Bashkimit Evropian, i cili vendosi të hiqte të gjitha masat ndëshkuese deri në fund të muajit të ardhshëm. Vendimi u bë i ditur fillimisht nga presidentja Vjosa Osmani gjatë samitit të Brukselit, ku ajo theksoi se ishte arritur marrëveshje që sanksionet të tërhiqeshin në dy faza: një pjesë menjëherë dhe pjesa tjetër në fund të janarit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi se BE-ja e kishte marrë vendimin në bazë të kalimit paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve të fundit lokale në veri. Ajo bëri të ditur se blloku kishte programuar 216 milionë euro për Kosovën dhe kishte synimin të lëvronte 205 milionë euro në fillim të vitit 2026.

Ndërkohë, deri para këtij vendimi, disa shtete anëtare – përfshirë Francën, Italinë, Spanjën, Hungarinë dhe Sllovakinë – shfaqnin rezervat e tyre për heqjen e plotë të masave, pavarësisht se BE-ja kishte shfuqizuar gjysmën e tyre më herët gjatë javës.

Masat ndaj Kosovës kishin ardhur pas tensioneve në kufi dhe situatës së krijuar nga zgjedhjet lokale të vitit 2023, të cilat ishin bojkotuar nga komuniteti serb. Qeveria e Kosovës kishte këmbëngulur se gjendja në veri ishte stabilizuar dhe se mbajtja e masave nuk justifikohej më.

Sipas të dhënave të institutit GAP, masat i kishin shkaktuar Kosovës dëm ekonomik prej rreth 613.4 milionë eurosh në projekte të pezulluara ose të shtyra, ndërsa 7.1 milionë euro ishin humbur përgjithmonë për shkak të kalimit të afateve.

Ndaj Postimin: