Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar në orët e para të mëngjesit në provincat e Firences dhe Sienës ka çuar në arrestimin e nëntë personave, të dyshuar si pjesëtarë të një organizate kriminale italo–shqiptare të angazhuar në trafikun e lëndëve narkotike. Operacioni u drejtua nga karabinierët italianë, pas një hetimi dyvjeçar.
Sipas mediave lokale, hetimet nisën në vitin 2023, pas sekuestrimit të 20 kilogramëve kokainë në San Gimignano. Nga verifikimet e mëtejshme u zbulua një strukturë kriminale e mirëorganizuar, me baza në Toskanë dhe me furnizime që mbërrinin nga rajoni i Lombardisë. Në krye të grupit dyshohet se vepronin dy shtetas shqiptarë, të cilët koordinonin strategjinë, furnizimin dhe shpërndarjen e drogës.
Pjesëtarët e grupit përdornin një metodë të sofistikuar transporti: prezantoheshin si korrierë dhe, duke qenë të punësuar si shoferë transporti, lëviznin sasi të mëdha droge të fshehura në pako të rreme, duke imituar shpërndarjet e një kompanie ndërkombëtare logjistike.
Gjatë hetimeve u sekuestruan 17 kilogramë kokainë, 18 kilogramë hashash dhe një kilogram marijuanë. Tre persona ishin arrestuar më herët në flagrancë, ndërsa operacioni i sotëm ka sjellë vendosjen e masave të reja të sigurisë për anëtarët kryesorë të organizatës.
Gjykata ka urdhëruar tetë masa sigurie “arrest në burg” dhe një arrest shtëpie. Të dyshuarit akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik të paligjshëm të lëndëve narkotike. Autoritetet vijojnë kontrollet në zona të ndryshme të Toskanës për të identifikuar prova të tjera dhe për të gjurmuar fitimet e aktivitetit kriminal.


