Ajo që nisi si një konflikt i zakonshëm mes një drejtori dhe një punonjëseje në Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike të Bashkisë Fier, përfundoi në një zinxhir përplasjesh që përfshiu Policinë Gjyqësore, Prokurorinë dhe Gjykatën e Shkallës së Parë. Në qendër të kësaj historie, që ngre më shumë pikëpyetje sesa jep përgjigje, qëndron Vjollca Semanjaku, sanitare prej vitesh pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike Fier.
Sipas pretendimeve të zonjës Semanjaku, gjithçka nisi kur drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Arjan Ndreu, i propozoi asaj të linte punën si sanitare në ambientet e zyrave dhe të bashkohej me grupin e pastrimit të qytetit. Një “ripozicionim” që, në letër, mund të tingëllojë administrativ, por që për Vjollca Semanjakun ishte i pamundur.
Ajo është e sëmurë me diabet, vuan nga mbipesha, është e divorcuar dhe jeton në banesë sociale. Kushtet shëndetësore dhe sociale, sipas saj, nuk e lejonin të përballonte punën fizike në terren. Refuzimi i saj ishte i qartë. Por këtu konflikti nuk u mbyll.
Sipas dokumenteve dhe kallëzimit të depozituar, drejtori Arjan Ndreu nuk u tërhoq. Përkundrazi, duke shfrytëzuar njohuritë administrative dhe pozicionin drejtues, ai nisi – sipas Semanjakut – ndërtimin e një skeme presioni përmes masave disiplinore, me synimin final: ta detyronte punonjësen të bindej ose të largohej nga puna.
Në këtë proces u përfshinë edhe punonjës të tjerë të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, si dhe përfaqësues të Burimeve Njerëzore të Bashkisë Fier. Nga njëra anë, ata citonin ligjin dhe rregulloren; nga ana tjetër, sipas zonjës Semanjaku, inskenonin shkelje, manipulonin listë-prezencat dhe ndërmerrnin veprime që synonin largimin e saj nga puna. Administrata bashkiake, në formë hakmarrjeje për kundërshtimin, filloi t’i vinte mungesa fiktive dhe i ndërpreu pagesën.
E gjendur me shpatulla pas murit, pa lekë dhe pa përkrahje, Vjollca Semanjaku vendosi t’u drejtohej Policisë dhe Prokurorisë. Dhe këtu historia merr një kthesë tjetër.
E lodhur nga ajo që e konsideronte padrejtësi, mbase edhe pak e inatosur dhe qejf-mbetur, ajo vendosi të ndajë me autoritetet policore një realitet që, sipas saj, “të gjithë e dinë, por askush nuk do ta ngacmojë”:
Në Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike Fier ka punonjës që figurojnë në organikë, firmosin në bordero, marrin pagën dhe nuk shkojnë fare në punë.
Semanjaku depozitoi një listë me emra konkretë, duke pretenduar se për këta persona drejtori Arjan Ndreu e dinte që nuk vinin fare në punë, madje një pjesë e tyre në atë moment ndodheshin edhe jashtë vendit, por për ta ai nuk ndërmerrte asnjë masë, ndërsa ndaj saj po përdorej i gjithë arsenali disiplinor.
Ajo gjithashtu denoncoi shpërndarjen e pagave, orëve shtesë dhe pozicioneve pune jashtë organigramës, sipas preferencave personale të drejtuesit, në kundërshtim me rregullat.
Nga dokumentet e administruara rezulton se për këtë çështje është regjistruar kallëzim penal nr. 1914, datë 13.10.2025, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore Teodor Gremi, dhe çështja i ka kaluar prokurorit Leonard Suçi.
Por çuditërisht, pas verifikimeve, Prokuroria vendosi mosfillimin e procedimit penal, duke argumentuar se pretendimet e kallëzueses lidhen me marrëdhënie pune dhe shkelje administrative, të cilat nuk përmbushin elementët e veprës penale sipas Kodit të Procedurës Penale.
Vendimi u mbështet në nenin 290, pika 1, germa “c” e K.Pr.Penale, duke konkluduar se fakti i kallëzuar nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.
Zonja Semanjaku e ankimoi vendimin. Çështja u shqyrtua nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier, e cila la në fuqi vendimin e Prokurorisë, duke konfirmuar se konflikti duhet të trajtohet në rrugë administrative dhe jo penale.
Me këtë vendim, juridikisht dosja u mbyll. Por Vjollca Semanjaku nuk e la me kaq. Ajo kërkoi që Prokuroria t’i vinte në dispozicion dosjen që ishte depozituar në gjykatë dhe këtu vuri re se Oficeri i Policisë Gjyqësore, Teodor Gremi, jo vetëm që nuk i kishte paraqitur prokurorit materialin që ajo kishte firmosur, por e kishte rishkruar edhe një herë kallëzimin dhe kishte falsifikuar firmën e saj.
Me të marrë dijeni për këtë realitet, sipas zonjës Semanjaku, ajo i kishte bërë një telefon OPGJ-së Teodor Gremi dhe i kishte thënë: “Shumë trim dole, të keqen nëna”, dhe ai ishte përgjigjur: “Bëj çfarë të duash”.
Zonja Semanjaku kishte marrë sërish kontakt, dhe këtë herë me drejtorin e Policisë së Qarkut Fier, zotin Skënder Hitaj, i cili e delegoi çështjen te drejtori i Krimit Ekonomik, zoti Erildo Hysi.
Prej këtij momenti çështja ka ngelur pezull. Semanjaku ka që nga shtatori që nuk merr më rrogë. Në ndërmarrje nuk e qasin dhe thonë që ka munguar. Burimet Njerëzore të Bashkisë vazhdojnë t’i dërgojnë shkresa për takim për t’i marrë këtë herë masën disiplinore për heqjen nga puna me arsyen e mosparaqitjes në detyrë.
Takimin e ardhshëm ia kanë lënë në datën 23 dhjetor 2025, ora 11:00. Me shumë mundësi për ta hequr nga puna, por ndërkohë Vjollca nuk po çon bukë në shtëpi prej tre muajsh dhe tani jo vetëm që nuk paguhet, por vazhdon të ngarkohet, shqetësohet dhe injorohet jo vetëm nga Administrata e Bashkisë, por edhe nga Drejtësia.


