Një ngjarje me armë zjarri është regjistruar në Mamurras, ku një 50-vjeçar ka mbetur i plagosur në dorë në rrethana ende të paqarta. Sipas informacionit zyrtar, i plagosuri është Pjetër Marku, banues në Mamurras, Kurbin.
50-vjeçari është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital, ku ka marrë trajtimin e nevojshëm. Burimet bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dëmtimi është shkaktuar nga një armë zjarri.
Rrethanat e plagosjes mbeten të paqarta, ndërsa deri në këtë fazë nuk ka një autor të identifikuar apo të dyshuar, as motive të qarta që mund të kenë çuar në përdorimin e armës së zjarrit. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një konflikt të çastit apo për një ngjarje me prapavijë tjetër.
Menjëherë pas njoftimit të rastit është ngritur grupi hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar mënyrën se si është plagosur 50-vjeçari, si dhe për të identifikuar personat e përfshirë në këtë episod kriminal.


