Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të bëra nga Sali Berisha, sipas të cilave në Kuvendin e Shqipërisë ka mbërritur një USB që përmban provat e Prokurorisë së Posaçme lidhur me çështjen e deputetes Belinda Balluku.
Bardhi i drejtohet kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke deklaruar se provat nuk mund të “mbyllen në kasafortë”, pasi, sipas tij, korrupsioni i kryeministrit Edi Rama është i dukshëm dhe i pranishëm në çdo punë publike. Ai thekson se Kuvendi ka detyrimin ligjor të veprojë në përputhje me procedurat dhe transparencën e kërkuar nga ligji.
Sipas Bardhit, SPAK ka detyrimin ligjor që t’i dërgojë Kuvendit relacionin e shoqëruar me provat mbështetëse, jo për t’u depozituar si materiale të paarritshme, por për t’u vënë në dispozicion të anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si dhe deputetes ndaj së cilës është kërkuar heqja e imunitetit, në mënyrë që të jenë të përgatitur për procesin e vendimmarrjes.
Ai nënvizon se për zbatimin e ligjit nuk ka nevojë të kërkohet miratim nga as SPAK dhe as nga kryeministri, por mjafton që materiali i plotë, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit, t’u vihet në dispozicion deputetëve.
Nga ana tjetër, Kuvendi i Shqipërisë ka sqaruar se materiali i ardhur nga SPAK ka karakter “sekret hetimor” dhe ndodhet i depozituar në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Sipas këtij sqarimi, dokumentacioni mund të konsultohet vetëm në përputhje me udhëzimet e Prokurorisë së Posaçme.
Në këtë kontekst, kryetari i Kuvendit ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku pritet të diskutohet mënyra e njohjes së deputetëve me informacionin e klasifikuar, në bashkëpunim me prokurorin e SPAK.
Ndërkohë, Sali Berisha ka reaguar më herët për këtë çështje, duke deklaruar se provat e paraqitura nga SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku janë futur në kasafortë nga kryetari i Kuvendit dhe nuk po u vihen në dispozicion as deputetëve të opozitës dhe as anëtarëve të Këshillit të Mandateve.


