Provoi të merrte drejtimin e SPAK-ut, por hoqi dorë nga AKSHI! Prapaskenat e hetimit të dosjes së nxehtë, Bledar Maksuti zëvendësoi kolegun dhe mori përsipër “barrën e rëndë”

Hetimi për tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit është kthyer në një nga çështjet më të nxehta, pasi nga kjo dosje janë vendosur masa sigurie ndaj disa zyrtarëve dhe biznesmenëve. Operacioni i ndërmarrë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u shtri në disa zona të kryeqytetit, ku oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit ndërhynë për të ekzekutuar urdhër-arreste të firmosura nga prokurori i posaçëm Bledar Maksuti.

Megjithatë, Maksuti nuk ka qenë prokurori që e nisi këtë dosje voluminoze. Hetimi fillimisht është ndjekur nga një tjetër prokuror i posaçëm, i cili më pas është tërhequr nga çështja, duke ia kaluar dosjen kolegut të tij. Nga kjo procedurë janë caktuar masa sigurie “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe masa “arrest me burg” për Ergys Agasin dhe biznesmenin Ermal Beqiri.

Ndryshimi i prokurorit të çështjes ka ngjallur pikëpyetje, pasi hetimi u transferua në një fazë delikate, ndërkohë që dosja nxori në dritë abuzime të dyshuara, favorizime dhe përfitime financiare në vlera miliona euro nga procedurat e tenderimit. Hetimi, i cili më pas u ndoq nga Maksuti, përfshiu veprime intensive hetimore dhe çoi në ndërhyrjen e gjerë të strukturave ligjzbatuese.

Sipas të dhënave zyrtare, një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme, i zhvilluar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka zbuluar një skemë të dyshuar kriminale të manipulimit të tenderave publikë të AKSHI-t. Kjo skemë dyshohet se është realizuar përmes presionit, dhunës dhe heqjes së paligjshme të lirisë, me qëllim favorizimin e subjekteve të paracaktuara në procedurat e prokurimit.

Hetimi ka çuar në caktimin e masave të sigurisë për tetë persona, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Përveç drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ndaj së cilës është vendosur masa e “arrestit në shtëpi”, e njëjta masë është caktuar edhe për zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi.

Në qendër të hetimit janë edhe Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për ta është vendosur masa e “arrestit me burg”, por kjo masë nuk është ekzekutuar, pasi ata nuk janë arrestuar gjatë operacionit.

Sipas organit të akuzës, në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, personat e dyshuar kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e tenderimit, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara për t’u shpallur fituese.

Në këtë çështje dyshohet se është përfshirë edhe një zyrtar i Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për Erion Ismailin, zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, ndaj të cilit është vendosur masa e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalimit për të dalë jashtë vendit”.

Po ashtu, tre biznesmenë të tjerë, Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, akuzohen se kanë qenë pjesë e skemës së manipulimit, përmes lëshimit të faturave fiktive ose pjesëmarrjes formale në procedura tenderimi, pa kryer realisht shërbime apo punë. Për ta është vendosur masa e sigurimit “ndalim për të dalë jashtë vendit”.

Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit konsiderohet një nga institucionet më të ndjeshme në vend, pasi administron infrastrukturën kryesore të qeverisjes digjitale, përfshirë shërbimet e platformës e-Albania, e cila shërben si kanali kryesor mes qytetarëve dhe institucioneve shtetërore për ofrimin e dokumenteve dhe shërbimeve publike.

Sipas SPAK, hetimi ngre dyshime serioze se struktura e AKSHI-t dhe procedurat e saj të prokurimit janë përdorur nga një grup kriminal për të përfituar fonde publike, duke ushtruar presion dhe dhunë ndaj rivalëve. Krahas dyshimeve për abuzime financiare, çështja ngre shqetësime edhe për rrezikimin e sigurisë kombëtare, për shkak të natyrës së sistemeve dhe të të dhënave që administron ky institucion.

Ndaj Postimin: