Samiti BE–Ballkani Perëndimor mbledh liderët në Bruksel mes pritshmërive për zgjerim

Në Bruksel mbahet sot samiti vjetor BE–Ballkani Perëndimor, i cili zhvillohet për të katërtin vit me radhë, në prag të mbledhjes së fundit të këtij viti të Këshillit Evropian. Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Kosova nga presidentja Vjosa Osmani.

Shqipëria dhe Mali i Zi do të paraqiten si vendet që kanë avancuar më shumë në negociatat e anëtarësimit, me synime për t’u integruar në Bashkimin Evropian në vitet 2028 dhe 2029.

Samiti ka në qendër Paketen e Zgjerimit 2025 dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor me vlerë 6 miliardë euro, i cili synon forcimin ekonomik të rajonit dhe përshpejtimin e reformave.

Diskutimet do të përfshijnë edhe sfidat rajonale, si bllokimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut, situatën politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, zhvillimet në Serbi dhe procesin zgjedhor në Kosovë.

Agjenda parashikon gjithashtu tema si integrimi ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, rritja e investimeve, siguria, mbrojtja, përballja me kërcënimet kibernetike dhe menaxhimi i migracionit.

Ndaj Postimin: