Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur zgjedhjen e Klodian Brahos si drejtues i ri i Prokurorisë së Posaçme, duke uruar kreun e sapoemëruar dhe duke vlerësuar punën e bërë nga Altin Dumani gjatë mandatit të tij.
Në deklaratën e tij publike, Rama shkruan:
“Uroj punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK, i cili u përzgjodh mes katër kandidatësh për të çuar më tej punën e mandatit të tretë të institucionit. Drejtuesi aktual meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK në tre vitet e drejtimit të tij. Mazhoranca jonë ka pasur, ka dhe do të ketë një mbështetje të palëkundur për këtë institucion, në mënyrë që ai të përmbushë misionin e vet në kushte të plota pavarësie.”
Reagimi i kryeministrit vjen pas votimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili zgjodhi Brahon në krye të SPAK mes katër kandidatëve. Rama thekson se pavarësia dhe mbështetja institucionale mbeten thelbësore për funksionimin dhe suksesin e Prokurorisë së Posaçme.


