Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Fier, ku një 52 vjeçar ka rënë nga ballkoni i banesës së tij në katin e pestë dhe ka përfunduar në ballkonin e komshiut në katin e dytë.
Sipas të dhënave paraprake, ai ndodhej në ballkon duke pirë cigare kur ra, ndërsa rrethanat e sakta të ngjarjes janë ende nën hetim. Dyshohet se 52 vjeçari mund të vuajë nga probleme të shëndetit mendor.
Policia dhe zjarrfikësja u paraqitën menjëherë në vend dhe bënë të mundur zbritjen e tij nga ballkoni i katit të dytë. Më pas, ai u transportua drejt Spitalit të Fierit.
Burime mjekësore bëjnë të ditur se 52 vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe ka qenë i vetëdijshëm gjatë ndërhyrjes së ekipit të shpëtimit. Hetimet për të sqaruar ngjarjen vijojnë.


