Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani mori pjesë në mbledhjen e tretë të përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me temë forcimin e kapaciteteve institucionale përmes zhvillimit të karrierës dhe nismave mbrojtëse për sistemin gjyqësor.
Gjatë fjalës së tij, Metani vuri në dukje rëndësinë e ndërtimit të një drejtësie të qëndrueshme, duke theksuar se një sistem i fortë kërkon përpjekje të vazhdueshme. Ai tha se shteti i së drejtës nuk është vetëm një grup rregullash ligjore, por mbi të gjitha një veprimtari administrative e institucioneve, e cila duhet të ndërtohet mbi meritokracinë, pavarësinë strukturore, sigurinë institucionale dhe profesionalizmin e magjistratëve.
Metani foli edhe për problematikat që janë konstatuar nga inspektimet dhe trajtimi i ankesave, të cilat sipas tij ndikojnë në cilësinë e punës së gjykatave dhe prokurorive.
Ai theksoi se mungesa e ambienteve të përshtatshme dhe përdorimi i pamjaftueshëm i teknologjisë së informacionit, përfshirë regjistrimet audio të seancave, menaxhimin elektronik të çështjeve, arkivat, qarkullimin e dokumenteve dhe pajisjet që lidhen me proceset e punës, cënojnë cilësinë dhe solemnitetin e gjykimit dhe ndikojnë edhe në zhvillimin e hetimeve penale.
Sipas tij, këto kushte të papërshtatshme në disa raste kanë ndikuar edhe në sjelljen etike të magjistratëve, duke krijuar perceptime negative te publiku.
Metani nënvizoi se modernizimi i infrastruktures, forcimi i masave të sigurisë, krijimi i mekanizmave mbikëqyrës, analizat për menaxhimin e riskut dhe adoptimi i praktikave bashkëkohore të sigurisë së teknologjisë së informacionit janë domosdoshmëri për një mjedis pune të sigurt dhe efektiv.
Ai përfundoi duke thënë se investimi në infrastrukturë dhe në masat mbrojtëse për magjistratët duhet të jetë pjesë e pandarë e politikave që synojnë rritjen e pavarësisë dhe integritetit të sistemit gjyqësor, sepse vetëm kështu drejtësia mund të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të besueshme.