Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përballet me presionin më të madh diplomatik prej muajsh, pasi Uashingtoni ka kërkuar që Ukraina të marrë një vendim të shpejtë për planin e paqes të propozuar nga Donald Trump. Të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë zhvilluar një bisedë dy orëshe me Zelensky, duke i kërkuar reagim të menjëhershëm për draftin që parashikon heqjen dorë nga disa territore në këmbim të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Burime të informuara thonë se Shtëpia e Bardhë është duke shtyrë për një marrëveshje para Krishtlindjes. Zelensky u ka thënë aleatëve evropianë se i nevojitet kohë për të diskutuar planin me ta, përpara se të japë përgjigjen përfundimtare. Sot pritet që ai t i dorëzojë Uashingtonit një plan të rishikuar të paqes, të hartuar pas konsultimeve në Miami dhe më vonë me partnerët evropianë.
Plani i ri përmban ide të ndryshuara për Donbasin dhe për sistemin e garancive të sigurisë. Ai parashikon modele mbrojtjeje që aktivizohen automatikisht në rast të një sulmi të ri rus, të ngjashme me mekanizmat e mbrojtjes kolektive që përdoren nga NATO. Nga ana tjetër, raportohet se kufizimet e mëparshme mbi numrin e forcave ukrainase janë hequr.
Në takimin e tyre me Zelensky në Londër, Macron, Merz dhe Starmer janë shprehur të gatshëm të dërgojnë trupa në Ukrainë për të monitoruar një armëpushim, por vetëm nëse Shtetet e Bashkuara marrin një rol të qartë dhe të drejtpërdrejtë në garantimin e marrëveshjes.
Zelensky ka deklaruar gjithashtu se është i përgatitur të zhvillojë zgjedhje në Ukrainë brenda një periudhe prej gjashtëdhjetë deri në nëntëdhjetë ditësh, me kusht që vendet perëndimore të garantojnë sigurinë e procesit. Ai ka nënvizuar se pa garanci të plota mbajtja e zgjedhjeve nuk është e mundur.
Ndërkohë, presidenti amerikan ka kritikuar udhëheqësit evropianë si të dobët dhe ka akuzuar Kievin se po përdor luftën si arsye për shmangien e zgjedhjeve të rregullta.


