Sekuestrohen drogë, armë dhe para në një autobus në Durrës, shoferi përfundon në pranga

Në Portin e Durrësit është ndaluar dhe arrestuar drejtuesi i një autobusi, Dritan Ferrunaj, pasi në mjetin e tij u zbuluan substanca narkotike, armë zjarri, bizhuteri dhe para të padeklaruara. Zbulimi u bë gjatë një operacioni të zgjeruar policor të zhvilluar në port, me kontroll të imtësishëm të automjeteve që hynin në vend.

Gjatë kontrollit të Ferrunajt u gjet një sasi prej nëntëdhjetë e dy gramësh kokainë dhe disa bizhuteri në një çantë dore. Ndërsa gjatë kontrollit të autobusit, brenda një çante shpine, autoritetet gjetën njëzet e nëntë mijë euro, një pistoletë funksionale dhe pesë krehra me municion. Të gjitha u sekuestruan si pjesë e provave që rëndojnë ndaj tij.

Ferrunaj akuzohet për trafik të lëndëve narkotike, trafikim armësh dhe municionesh, kontrabandë të mallrave të ndaluara, mallrave që mbartin akcizë, mallrave të licencuara dhe kategorive të tjera të mallrave të kontrolluara, si edhe për mosdeklarim të vlerave monetare në kufi, pastrim të produkteve të aktivitetit kriminal dhe fshehje të të ardhurave.

Operacioni Full scan është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të parandaluar futjen e drogës, armëve dhe shumave të padeklaruara përmes portit. Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në këtë rast.

Ndaj Postimin: