Hetimi për shembjet pa vendim dhe punimet fiktive sjell masa sigurie për tetë persona

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar masa sigurie ndaj tetë personave, pesë prej tyre zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe tre të tjerë përfaqësues të kompanive private, pas hetimeve që zbuluan abuzime me fondet publike dhe falsifikim dokumentesh. Çështja u hap pas një denoncimi ku një qytetar raportoi se pallati i tij ishte shembur nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit pa vendim zyrtar.

Sipas të dhënave të hetimit, në janar të vitit 2021 u shembën gjashtë objekte, ndër to edhe pallati me numër 140. Më vonë, në muajin mars, Këshilli Bashkiak miratoi fondet për shembjen e pesëmbëdhjetë pallateve, por disa prej tyre ishin demoluar më herët. Hetimi evidentoi se disa kompani të kontraktuara kishin paraqitur punime të paqena dhe dokumente të manipuluara, duke dëmtuar financiarisht buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Në të njëjtën kohë, disa punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit nuk kryen kontrollin real në terren, për t u mjaftuar me dokumentacionin e mëparshëm.

Prokuroria ka vendosur masat e mëposhtme.
Aurel Çuko, drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, është vendosur në arrest në shtëpi.
Aurel Boriçi, drejtor i Emergjencave Civile, është vendosur në arrest në shtëpi.
Eleana Guçe, përgjegjëse e Sektorit të Politikave të Kompensimit të Fatkeqësive Natyrore, është vendosur në detyrim paraqitje.
Rexhina Rakipi, specialiste e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, është vendosur në detyrim paraqitje.
Sokol Qehajaj, specialist i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, është vendosur në arrest në shtëpi.
Aleksandra Mahmutllari, mbikëqyrëse punimesh dhe përfaqësuese e bashkimit të operatorëve ekonomikë Maging shpk dhe Imes D shpk, është vendosur në detyrim paraqitje.
Shyqyri Maloku, përfaqësues i bashkimit të operatorëve ekonomikë Arb and Trans dy mijë shpk dhe Klajger Konstruksion shpk, është vendosur në detyrim paraqitje.
Fatmir Firi, përfaqësues ligjor i të njëjtit bashkim operatorësh, është vendosur në detyrim paraqitje.

Ndaj Postimin: