Myrto Uzuni është bërë kryefjalë e rrjeteve sociale pas një videoje nga dasma e motrës së tij, ku sulmuesi i kombëtares shihet duke hedhur para gjatë festës. Momenti, që për familjen ishte thjesht gëzim, u interpretua ndryshe nga disa komente online, duke sjellë kritika dhe debat.
Pas reagimeve të shumta, Uzuni ka dhënë versionin e tij. Ai bëri të ditur se nuk kishte asgjë përtej një çasti emocional, duke theksuar se prej viteve të vështira ka arritur të ndërtojë një të ardhme të sigurt për familjen.
“Familja është e para. Videoja ishte një moment gëzimi. Kam qenë zero dhe sot jam krenar që u kam siguruar familjarëve gjithçka,” shkroi ai. Uzuni theksoi se nuk e ka shpërdoruar paratë në argëtime boshe, por ka festuar me njerëzit e tij më të afërt.
“Edhe sikur të mos kisha hedhur para, dikush do gjente arsye për të komentuar. Nuk i kënaq dot të gjithë,” shtoi ai, duke falënderuar ata që kanë respektuar gëzimin e familjes.
Futbollisti e mbylli reagimin me një urim: “Gëzime në familjet tuaja! Me respekt, familja Uzuni.”


