Banorët e fshatit Kreshpan kanë ngritur zërin ndaj situatës së vështirë në të cilën, sipas tyre, janë lënë prej vitesh. Rruga dy kilometra e paasfaltuar që i detyron të bëjnë një devijim prej dhjetë kilometrash, mungesa e investimeve dhe premtimet e pambajtura kanë qenë ndër arsyet kryesore të revoltës së tyre.
Ata pretendojnë se edhe rezervuari i ujit të pijshëm përdoret vetëm nga një person me ndikim politik në zonë, ndërsa pjesa tjetër e fshatit përballet me mungesë furnizimi.
“Na morën votat dhe na lanë në baltë,” thonë banorët, të cilët shtojnë se “taksat rriten, por shërbimet zhduken”.
Deputetja e opozitës Brunilda Haxhiu, e pranishme në takim, u premtoi banorëve se do të ngrejë zërin e tyre në Parlament dhe se nuk do të tërhiqet derisa çështjet e tyre të marrin zgjidhje.
“Nuk do të hesht derisa të merrni atë që ju takon,” deklaroi ajo, duke adresuar hapur problemet që komuniteti ka denoncuar prej kohësh.