Vrau shefin e krimeve në Fier dhe djalin e tij 8-vjeçar për të marrë hakun e të vëllait, Kanadaja vendos: Ëngjëll Brahimi nuk do të ekstradohet

Gjykata e Apelit në Kanada ka vendosur që Ëngjëll Brahimi, i akuzuar për vrasjen e policit Astrit Braçe dhe djalit të tij në vitin 2000 në Fier, të mos ekstradohet.

Gjykatësit janë shprehur se provat nuk ishin të mjaftueshme për të urdhëruar ekstradimin dhe burgosjen e tij.

“Gjykatësi me të drejtë konsideroi se provat në tërësi nuk ishin të mjaftueshme për të urdhëruar burgosjen”, thuhet në vendimin e lëshuar të premten në Montreal.

“Ëngjëll Brahimi, 62 vjeç, nuk ka më pse të shqetësohet për kthimin në Evropën Lindore, ku përballet me një dënim të gjatë me burg në lidhje me vrasjen e përgjakshme të një oficeri të lartë policie dhe fëmijës së tij 8-vjeçar, e cila ndodhi 25 vjet më parë”, thuhet ndër të tjera në artikullin e medias kanadeze.

Brahimi u dënua me “burgim të përjetshëm” për vrasjen e oficerit të policisë Astrit Braçe dhe djalit të tij tetëvjeçar, Asllan, në një pritë me armë zjarri më 10 gusht të vitit 2000 në Fier. Ai u arratis dhe u arrestua më vonë në Kanada, ku fshihej nën identitetin e Piro Kota, në mënyrë që t’i fshihej drejtësisë shqiptare.

Masakra në verën e nxehtë të vitit 2000

Ëngjëll Brahimi akuzohet për vrasjen e oficerit të policisë Astrit Braçe dhe djalit të tij 8-vjeçar, në një pritë me armë zjarri më 10 gusht 2000 në Fier.

E gjithë vrasja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje. Në vitin 1997, vëllai i Ëngjëll Brahimit, Iliriani, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë, pasi dikush kishte hapur zjarr ndaj një ambulance.

Braçe ishte një nga policët e pranishëm në momentin e vrasjes së vëllait të Brahimit. Në vitin 1999 ndaj Braçes u organizua një atentat, por rezultoi i dështuar. Ëngjëll Brahimi ishte i dyshuari kryesor, por ndaj tij nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar.

Më 10 gusht 2000, Braçe me bashkëshorten, djalin e tyre Asllanin, vajzën, mbesën dhe nipin po shkonin në plazh. Të gjithë po udhëtonin me një automjet Mercedes-Benz dhe, kur po ktheheshin, makina u godit me armë zjarri në fshatin Poro-Pishë, ku humbën jetën efektivi dhe djali i tij 8-vjeçar.

Brahimi dyshohet se ka dalë nga një Audi dhe ka hapur zjarr në drejtim të Mercedes-Benz-it. Sipas asaj që shkruajnë mediat kanadeze, oficeri i policisë ka arritur të dalë nga makina dhe është nisur drejt një lumi, Vjosës. Ndërkohë, gruaja e Braçes ka arritur ta shohë autorin dhe i ka bërtitur: “Kriminel, më vrave djalin”.

Në këtë moment, autori nuk i është përgjigjur, por ka hipur në automjetin e tij dhe është larguar për të ndjekur oficerin. Gruaja e Braçes tha se më vonë dëgjoi të shtëna. Trupi i të shoqit u gjet të nesërmen në buzë të lumit Vjosa.

Autoritetet shqiptare u përpoqën më pas ta arrestonin të dyshuarin, por ai tashmë ishte arratisur, fillimisht në Greqi, më pas në Kanada, ku madje mori edhe shtetësinë.

Megjithatë, e kaluara e Brahimit e kapi dhe ai u gjet. Ekipi i tij ligjor arriti të tregonte se gjyqi i mbajtur në Shqipëri kishte qenë i gabuar.

“Provat janë aq të gabuara dhe të pabesueshme saqë ekstradimi do të ishte një keqpërdorim i drejtësisë”, shpjegoi gjykatësi Alexandre Boucher në vitin 2023, duke vënë në dukje se gjatë gjyqit gruaja e të ndjerit madje kundërshtoi veten duke zgjedhur foton e gabuar për të identifikuar të dyshuarin.

Prokurori i Përgjithshëm i Kanadasë, duke vepruar në emër të Republikës së Shqipërisë, e kishte apeluar çështjen, duke pretenduar disa gabime nga ana e gjyqtarit. Por në fund të procesit, gjykata më e lartë e Kebekut vendosi se nuk kishte pasur shkelje.

“Ai verifikoi mjaftueshmërinë dhe besueshmërinë e provave të certifikuara të paraqitura në mbështetje të kërkesës për ekstradim”, vendosi Gjykata e Apelit. “Ai përcaktoi se ato kishin një të metë të dukshme dhe se ekzistonte një rrezik real që ato të ishin thelbësisht të gabuara.”

Për më tepër, u theksua se edhe nëse ikja e Brahimit mund të kishte sugjeruar se ishte sjellja e një personi fajtor, kjo mund të korrespondonte edhe me dikë që dëshiron “të shmangë akuzimin padrejtësisht”. Ëngjëll Brahimi u përfaqësua nga avokatët penalë Andreë Barbacki, Jordan Trevick dhe Sara Abdel-Malik.

Ndaj Postimin: